Skena e Pallatit të Kongreseve është ndezur mbrëmjen e së dielës nga një larmi ritmesh dhe ngjyrash. “Zjarri i Anadollit” grupi i njohur folklorik turk shpalosi një energji të jashtëzakonshme në një spektakël që zgjati për rreth 2 orë. 54 valltarët e ansamblit morën duartrokitje të gjata nga publiku shqiptarë.
“Jemi ndjerë shumë të vlerësuar nga pritja e publikut shqiptarë dhe nga entuziazmi në sallë.
Falënderojmë me këtë rast dhe Televizionin Klan, që na dha mundësinë e bashkëpunimit”.
“Edhe pse nuk munda të shohë shumë mendoj se Shqipëria është një vend i bukur. Muzika jonë gjen këtu pika takimi dhe kjo është një arsye më shumë që ne ta gjejmë veten mjaft mirë këtu”.
Në sallë kanë qenë të pranishëm edhe personazhe të njohur të skenës dhe ekranit.
Enada Hoxha: “Pikërisht për këtë kemi ardhur, sepse para nja 2-3 vjetëve na kanë folur kur kemi qenë në Turqi. Na kanë folur për këtë grup që janë vërtetë të mahnitshëm”.
Spektakli një ekskluzivitet i TV Klan, ka pasur si skenarist dhe drejtues të mirënjohurin Reis Çiço.
Reis Çiço: “Zjarri i Anadollit që unë besoj se e ndezi sot zjarrin artistik dhe kam kënaqësinë t’i falënderoj në emër të publikut”.
Zjarri i Anadollit është konsideruar në kritika si grupi më i mirë i kërcimit folk në botë. Ata kanë hyrë dhe në librin e rekordeve Guinness, për numrin më të madh të publikut që e ndjek. Ardhja e këtij ansambli në Shqipëri është bërë e mundur nga agjencia e spektakleve Karabashi me përfaqësues zotin Alban Karabashi./tvklan.al
Gazetare: Manjola Bregasi