Ali Ahmeti: “Këtë armëpushim e ka prishur një zoti Bllaze Risterski, ka prish armëpushimin thotë. Si një ushtar i papërgjegjshëm, i pandërgjegjshëm për kombin e vet.”

Këtë vlerësim e bëri përfaqësuesi politik i shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti, në “Zonën e Debatit” të Baton Haxhiut në përballjen e tij me akademikët shqiptar të Kosovës e Maqedonisë.

Ali Ahmeti: “8 vite bëhen, armëpushim pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ka armëpushim.”

Kjo deklaratë e Ahmetit vjen pas vlerësimit të akademikut kosovar Mehmet Kraja, se Akademia e Shkencave e Maqedonisë dëshiron të ndërtojë një enciklopedi të bazuar në Albanofobi. Ky i fundit ngriti dilemën nëse Maqedonia duhet të ekzistojë si shtet i maqedonasve dhe i shqiptarëve.

Mehmet Kraja: “Oferta do të ishte kjo për mendimin tim, e shqiptarëve. Doni të ulemi të bisedojmë seriozisht dhe përfundimisht për fatin e Maqedonisë, doni të uleni me faktorin maqedonas. Doni të uleni të bisedojmë si të barabartë pa kompleksin e humbësit dhe fituesit.”

Ndërkohë anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë Ali Aliu mbështet tezën e Krajës.

Ali Aliu: “Aty ka uzurpim të historisë, të kulturës, të personaliteteve. Dakord e kam fjalën këtu që ato me gjithë atë një pjesë e shkencëtarëve tanë do të ballafaqohen dhe do t’i ndreqin ato. Ish-kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Rexhep Ismaili kishte një porosi për dy komunitetet shtetformuese të Maqedonisë.

Rexhep Ismaili: “Ne po kërkojmë që skandali me enciklopedinë të shërohet mirë, njerëzisht dhe të mos na ndodhë që pas pak vjetësh të themi, ishte e fremovit, pastaj erdhi ky, pastaj doli një tjetër.”/tvklan.al