Kandidati për zëvendëspresident i Donald Trump, JD Vance, ka mbrojtur komentet e tij në vitin 2021, të bëra virale së fundmi, në të cilat ai i quajti politikanet demokrate një “grumbull zonjash macesh pa fëmijë me jetë të mjerueshme”.
“Natyrisht që ishte një koment sarkastik. Njerëzit po përqendrohen kaq shumë në sarkazmën dhe jo në thelbin e asaj që thashë në të vërtetë. Thelbi i asaj që thashë, më falni, por është e vërtetë”, tha Vance.
Kandidati për zv.president i Trump, tha se ai nuk po kritikonte ata që nuk kanë fëmijë, por politikat kundër familjes.
“Kjo ka të bëjë me kritikimin e Partisë Demokratike për t’u bërë kundër familjes dhe kundër fëmijëve. Pika e thjeshtë që kam thënë është se të kesh fëmijë, të bëhesh baba, të bëhesh nënë, me të vërtetë mendoj se kjo ndryshon këndvështrimin tuaj në një mënyrë mjaft të thellë. Unë dhashë një argument se e gjithë shoqëria jonë është bërë skeptike ndaj idesë për të pasur fëmijë”, shtoi ai.
Vërejtjet e tij, të bëra në vitin 2021, janë kritikuar ashpër këtë javë, me aktoren e Hollivudit Jennifer Aniston në mesin e atyre që kanë sulmuar republikanin 39-vjeçar.
Aktorja e famshme 55-vjeçare postoi intervistën e vitit 2021 të Vance, krahas së cilës shkroi: Me të vërtetë nuk mund ta besoj se kjo vjen nga një zëvendëspresident i mundshëm i SHBA. Gjithçka që mund të them është… Z. Vance, uroj që vajza juaj të ketë fatin të lindë fëmijët e saj një ditë. Shpresoj që të mos ketë nevojë që t’i drejtohet fekondimit In-Vitro si një mundësi e dytë sepse ti po përpiqesh që ta heqësh dhe këtë opsion.
Sjellim në vëmendje se kandidati për zëvendëspresident i Trump, Vance ka një vajzë 2-vjeçare dhe dy djem.
Aktorja më parë ka folur hapur për vështirësitë e saj gjatë përpjekjes për të pasur fëmijë përmes fekondimit In-Vitro (IVF). Ndërkohë, muajin e kaluar, Vance votoi për të bllokuar legjislacionin e propozuar nga demokratët për të garantuar aksesin në IVF në mbarë vendin.
Në intervistë, Vance kritikoi zëvendëspresidenten dhe njehërësh kandidaten për presidente të SHBA, Kamala Harris sepse ajo nuk ka fëmijë biologjikë. Harris është njerka e dy fëmijëve të bashkëshortit të saj Doug Emhoff.
Në prononcimin për “Fox News”, Vance thoshte se SHBA-ja drejtohej nga “një tufë zonjash mace pa fëmijë, të cilat janë të mjera në jetë dhe zgjedhjet që kanë bërë dhe kështu duan të bëjnë të mjerë edhe pjesën tjetër të vendit”./tvklan.al