Jennifer Aniston ka kritikuar kandidatin për zëvendëspresident të Donald Trump dhe njëherësh senatorit të SHBA, JD Vance në lidhje me përshkrimin e tij për disa prej njerëzve më të fuqishëm në politikën amerikane si “zonjat mace pa fëmijë”.

Aktorja e famshme 55-vjeçare postoi një intervistë të vitit 2021 të Vance që është shpërndarë gjerësisht që nga përzgjedhja e tij si kandidati i Trump për zgjedhjet presidenciale të Nëntorit.

“Me të vërtetë nuk mund ta besoj se kjo vjen nga një zëvendëspresident i mundshëm i SHBA. Gjithçka që mund të them është… Z. Vance, uroj që vajza juaj të ketë fatin të lindë fëmijët e saj një ditë. Shpresoj që të mos ketë nevojë që t’i drejtohet fekondimit In-Vitro si një mundësi e dytë sepse ti po përpiqesh që ta heqësh dhe këtë opsion”, shkroi Aniston.

Sjellim në vëmendje se kandidati për zëvendëspresident i Trump, Vance ka një vajzë 2-vjeçare dhe dy djem.

Aktorja më parë ka folur hapur për vështirësitë e saj gjatë përpjekjes për të pasur fëmijë përmes fekondimit In-Vitro (IVF). Ndërkohë, muajin e kaluar, Vance votoi për të bllokuar legjislacionin e propozuar nga demokratët për të garantuar aksesin në IVF në mbarë vendin.

Në intervistë, Vance kritikoi zëvendëspresidenten dhe njehërësh kandidaten për presidente të SHBA, Kamala Harris sepse ajo nuk ka fëmijë biologjikë. Harris është njerka e dy fëmijëve të bashkëshortit të saj Doug Emhoff.

Në prononcimin për “Fox News”, Vance thoshte se SHBA-ja drejtohej nga “një tufë zonjash mace pa fëmijë, të cilat janë të mjera në jetë dhe zgjedhjet që kanë bërë dhe kështu duan të bëjnë të mjerë edhe pjesën tjetër të vendit”.

“Shikoni Kamala Harris, Pete Buttigieg, AOC (Alexandria Ocasio-Cortez), e gjithë e ardhmja e demokratëve kontrollohet nga njerëz pa fëmijë. Si ka kuptim që ne ia kemi dorëzuar vendin tonë këtyre njerëzve?”, shprehej ai.


/tvklan.al