Jamal Musiala ka rinovuar kontratën me Bayern Munich. Klubi gjerman zyrtarizoi zgjatjen e bashkëpunimit deri në vitin 2030.

Pas Manuel Neuer dhe Alphonso Davies, Musiala bëhet rinovimi i tretë te bavarezët, që kanë vendosur të blindojnë disa nga lojtarët më të rëndësishëm.

Interesimet për futbollistin 21-vjeçar ishin të shumta, por me këtë rinovim, i ka dhënë fund të gjithë zërave për të ardhmen.

“Jam shumë i lumtur. Bayern është një nga klubet më të rëndësishme në botë, këtu kam hedhur hapat e mi të parë në futbollin profesionist dhe jam i bindur se mund të arrij gjëra të mëdha me këtë klub në vitet e ardhshme”, deklaroi lojtari pas rinovimit.

Musiala është pjesë e Bayern Munich nga viti 2019, ku u bashkua nga të rinjtë e Chelsea. /tvklan.al