Kaosi që shkaktohet shpeshherë në rrugët e Tiranës vjen si pasojë e parkimeve të gabuara në anët e rrugëve kryesore, ku shpeshherë automjetet parkohen për dy apo për tre.
Ky shqetësim qytetarësh pasqyruar me dhjetëra herë në kronikat e TV Klan ku akset më problematike janë vërejtur para drejtorisë së përgjithshme të policisë dhe aksi i Unazës në zonën e tregut.
Për të zhdukur këtë fenomen të parkimit kundratabelë Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me policinë rrugore ka nisur një projekt për pajisjen e rrugëve me tabela dhe në të njëjtën kohë ndëshkimin e kundravajtësve, por problematike mbeten makinat e zyrtarëve.
Enton Punavia: “Neve kemi hartuar projektin e sinjalistikës vertikale dhe horizontale në qytetin e Tiranës, i cili është në fazën e implementimit të tij dhe parashikon kompletimin e të gjithë qytetit të Tiranës me sinjalet e nevojshme për të bërë të mundur qytetarëve që të njohin vendet e tyre se ku është e lejuar parkimi dhe ku nuk është i lejuar. Mjetet e zyrtarëve të shtetit ngelen mjetet më problematike. Një nga këto janë mjetet e kuvendit të republikës së Shqipërisë. Në të gjitha vendet ku ka seanca apo ku është kryesia e kuvendit. Makinat janë të parkuara për dy apo për tre.”
Pajisja e të gjitha rrugëve të kryeqytetit me tabela orientuese, si dhe ndërtimi i dy parkimeve nëntokësore do të zgjidhë sipas bashkisë përfundimisht çështjen e parkimit në akset kryesore./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami