Arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama e komentoi për herë të parë gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’Sy”.  Kreu i qeverisë e cilëson një proces hetimor të çuditshëm atë ndaj kryebashkiakut, ndërsa si rrallë herë nuk i kurseu kritikat ndaj SPAK.

“Marrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla që janë krimet që pretendohet se janë zbuluar. Për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm, i nisur nga një novelë pafundësi fletësh, novelë anonime, dorëzuar në Shkurtin e kaluar, pak, që ka pjellë një roman nga 400 faqe, afërsisht”, tha Edi Rama.  

Edhe pse më herët kryeministri është zotuar se kurrë nuk do të komentonte veprimet e drejtësisë ndaj socialistëve, arrestimi i Veliaj e ka bërë që të ndryshojë qëndrim.

“Nuk ka më pse të mos ti shprehim dhe opinionet kritike. Heshtja jonë patjetër që i ka ndihmuar shumë institucionet e reja të drejtësisë, deri këtu. Asnjë pendesë, asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por, me shumë gjasë, besoj, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar”, tha Rama.   

Foli dhe për akuzat konkrete ndaj kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij.

“Flitet për shtëpinë e të vjerrit dhe ai akuzohet që meqë janë gjetur aty rrobat e djalit tënd, fëmija i vogël që shkon te gjyshja në plazh është shtëpia jote dhe nuk e ke deklaruar. Mbase është nuk e di, do ta shikojmë me prova”, tha Rama.

Qytetarëve që i kërkonin dorëheqjen pas arrestimit të Veliajt, Rama u tregoi dy mënyrat se si ai do mund të largohej nga drejtimi i qeverisë.

“Dorëheqjen ti duhet ta harrosh, bashkë me gjithë të tjerët. Për të më larguar mua nga politika ka vetëm dy rrugë: Ose më largon zemra nëse nuk më rreh mjaftueshëm që të më zgjojë të parin në mëngjes dhe të mos më lërë të fle, para se të bien të gjithë të tjerët të flenë dhe aty them stop, ose më largon populli i Shqipërisë”, tha Edi Rama.

Nuk i kurseu ironitë për opozitën, ndërsa komentoi dhe ardhjen në drejtimin e fushatës së PD të Chris LaCivita, një prej strategëve të fushatës së Donald Trump në SHBA.

“Trump-istët e vetëshpallur të kënetës sonë opozitare kanë pasur dje një ditë masturbimi kolektiv, tamam si ata adoleshentët që bëjnë dashuri me foton e një aktoreje filmash atje lart në mur, shpallën një fitore dje sepse sollën, me kushedi sa lekë, një konsultent që paska punuar edhe me Presidentin Trump”, tha Rama.

Kryeministri Rama thotë se për punën e bërë në tre mandate nga PS dhe për drejtësinë që u ka dhënë shqiptarëve, më 11 Maj do të marrë dhe mandatin e katërt për të bërë dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.

Klan News