Në dosjen e SPAK për masat e sigurisë ndaj Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe të akuzuarve të tjerë, shpjegohet se biznesmeni Elman Abule për të përfituar leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, i ka ofruar para të ndryshme kompanive që “De facto” dhe “De juro” kontrolloheshin nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj.

Në dosje theksohet se shoqëritë e kontrollolluara nga Ajola Xoxa përfitojnë nga shoqëritë e kontrolluara nga Elman Abule shumën prej 281 mijë eurosh në 3 vite.

“Detyrimi i “Rametal” shpk dhe “Sapientia” shpk ndaj shoqërive të kontrolluara faktikisht nga Ajola Xoxa është likuiduar i plotë, pa përfshirë këtu shoqërinë “Jedas” shpk, për të cilën detyrimi në CASH është 60.000 Euro dhe për të cilin shtetasja Ajola Xoxa ka thënë se janë në rregull dhe nuk ka problem”, shkruhet në dosje.

Në dosjen e SPAK kryebashkiaku Veliaj akuzohet dhe për mos deklarim të adresa dytësore të banimit apo shpenzime për mobilimin e zyrave.

“Nga të gjitha deklaratat e Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa rezulton se nuk janë deklaruar adresa dytësore si shtëpitë e pushimit etj. Gjithashtu, nuk është deklaruar asnjë shpenzim për mobilim/arredim edhe pse disponojnë apartamente dhe zyra të deklaruara për ushtrim aktiviteti”, shkruhet në dosje.

Një tjetër pikë SPAK mbështet akuzat ndaj Veliajt është dhe deklarimi i dietave dhe biletave të udhëtimit, të cilat nuk janë kryer nëpërmjet prokurimit publik.

“Janë deklaruar si të ardhura edhe dietat për t’u shpenzuar jashtë shtetit në takimet zyrtare si dhe bilitat e udhëtimit për jashtë shtetit të cilat duhet të blihen nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë nëpërmjet procedurës së prokurimit publik. Ndodhur në këto kushte, lind pyetja kush ja ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat dhe përse duhet t’i kalojnë në llogarinë bankare shpenzimet e biletave, të cilat sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi duhet të sigurohen paraprakisht nga institucioni nëpërmjet procedurave të prokurimit përpara udhëtimit”, shkruhet në dosje.

SPAK në reagimin zyrtar pas masave të sigurisë tha se ka gjetur një shumë të madhe monetare që janë verifikuar në “Duty Free”-t e vendeve jashtë Shqipërisë ku Ajola Xoxa ka kryer blerje online. Sipas SPAK, në 4 vite ajo ka blerë mbi 860 mijë euro bizhuteri, rroba dhe materiale të tjera.

Klan News