Pas 10 vitesh nga miratimi i Reformës Territoriale dhe Administrative, qeverisja vendore ka ende nevojë për përmirësim. UNDP dhe Bashkimi Europian thonë se tashmë vendi përballet me sfidat që sjell rruga drejt BE-së, e për këtë duhet forcuar transparenca dhe llogaridhënia në nivel vendor.
“Qeverisja vendore është një aktor kryesor për fuqizimin e demokracisë si dhe për rritjen gjithëpërfshirëse. Fokusi tek transparenca, integriteti dhe digjitalizimi do të jenë pikat kyçe në rrugën drejt Bashkimit Europian”, Monica Merino, përfaqësuese e përhershme e UNDP.
“Qytetet janë ato që shtrojnë rrugët drejt Bashkimit Europian. Demokracia dhe reforma në administratën publike luajnë një rol kyç për të kuptuar që kemi transparencë dhe llogaridhënie në formën e duhur. Do kemi grante të reja për Shqipërinë, 10 milion euro për ngritjen e kapaciteteve”, Lenka Vitkova, nga delegacioni i BE-së në Shqipëri.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, thotë se falë ndarjes administrative me 61 bashki, ka më shumë mundësi për përballimin e sfidave që ka pushteti vendor.
“Sfidat janë të jashtëzakonshme, për fuqizimin e tyre për çështjen e burimeve njerëzore që kanë nevojë, për sfidat që qytetet dhe bashkitë kanë në raport me integrimin europian, si do bëhet qytetet tona të gatshme për t’u rregulluar në këtë hapësirë të re administrative”, shprehet Ministri Mazniku.
Për ndryshimin e ndarjes administrative dhe territoriale ka pasur shpesh ide nga palët e politikës, por pa gjetur dakordësinë.
Tv Klan