Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Projektligji i ri për rishikimin e ndarjes administrative, ka qenë objekti i takimit të Ministrit të Pushtet Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi me shefin e prezencës së OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen. Sipas ministrit Blushi është bërë i domosdoshëm rishikimi i hartës territoriale të vendit, në mënyrë që të ketë më pak njësi administrative gjë që do të lehtësonte një sërë reformash të tjera.
Ben Blushi:- “Ajo që është e rëndësishme është të theksojë që reforma territoriale nuk synon aspak të krijojë një bazament më të favorshëm elektoral për qeverinë, përkundrazi synon të përshpejtojë procesin e decentralizimit dhe konsolidimit të autonomisë lokale”.
Osmo Lipponen:- “Zhvilluam një dialog konstruktiv, me ministrin Blushi për reformën territoriale. Ky proces duhet të jetë konsensual, gjithëpërfshirës dhe tepër transparent. Kjo është pika kryesore ku duhet të fokusohet edhe dialogu mes partive”.
Projektligji për rishikimin e ndarjes administrative është miratuar nga qeveria shqiptare dhe pritet që shumë shpejt të shkojë në parlament për diskutim./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka