Përgjatë periudhës Janar-Tetor të këtij viti Shqipëria është vizituar nga 10,4 milionë turistë të huaj. Lajmin e ndau Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në rrjetet sociale duke nënvizuar se rritja e fluksit rezulton mbi 16.2% krahasuar me të njejtën periudhë të 2023.

Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, vetëm gjatë muajit Tetor vendin tonë e kanë vizituar 761 mijë vizitorë të huaj ose 9,3% më shumë se Tetori i vitit 2023.

Pak ditë më parë, ishte Organizata Botërore e Turizmit që në Barometrin Global e renditi Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në botë sa i takon normës së rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë. Po ky barometër e klasifikoi Shqipërinë të parën përsa i përket rritjes së të ardhurave nga sektori i turizmit krahasuar me periudhën e para-pandemisë.

Në fund të muajit Tetor, revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” i akordoi Shqipërisë medaljen e argjendit si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët, përmes një votimi nga lexuesit britanikë.

Klan News