Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi se do të shtohet numri i shërbimeve online të Gjendjes Civile. Ai dha dhe një shifër që e cilësoi kuptimplotë lidhur me numrin e certifikatave të lëshuara dy vitet e fundit.


“Kemi vendosur thellimin e reformës së ndërmarrë nga qeveria sa i përket sistemit të Gjendjes Civile. Dy javë më para kam komunikuar ndryshimet që bëmë dhe shujmë shpejt do mbrojmë në Kuvend dhe më pas ta miratojmë ndryshimet në ligjin për sistemin e adresave. Mund t’ju them që tani çohet në nivel tjetër procesi i digjitalizimit, duke shtuar numrin e shërbimeve online dhe bëhet një ndarje shumë e mirë e atyre pak shërbimeve që mbeten në formën tradicionale. Kështu zgjidhen disa problematika ligjore. Dua të ndaj me ju një shifër shumë kuptimplotë, gjatë dy viteve të fundit nga zyrat e Gjendjes Civile janë lëshuar 11.3 mln certifikata digjitale, e përkthyer në vlerë financiare të kursyer nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.”

Sipas Ballës, përpos një shërbimi më të shpejtë tashmë qytetarët kursejnë para nga xhepi i tyre. Po ashtu ai u bëri thirrje qytetarëve që të deklarojnë vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre.

“Vetëm vlera që paguhej më parë ishte 13.2 mln euro dhe këtu nuk llogaritet as koha e humbur nga këta qytetarë, rruga për të shkuar, autobusi, makina dhe çdo lloj forme shpenzimi tjetër. Ky revolucion digjital jo vetëm ka kursyer kohë e ka përshpejtuar shërbimet, po ka sjellë edhe kursim parash. Kjo është një arritje e parë dhe ne do e çojmë më tej. Tjetra është çështja e adresave. I drejtohem me përulje çdo qytetari, është detyrim ligjor deklarimi i vendbanimit dhe vendqëndrimit. Çdo qytetar ëshrë i detyruar të njoftojë vendin ku banon.”

Shqipëria sot është një ndër vendet kampion në Europë për numrin e shërbimeve online”, përfundoi ministri./tvklan.al