Dy vitet e fundit janë afro 11 mijë raste të denoncuara për dhunë në familje në Shqipëri, dhe 50% e tyre janë shoqëruar me urdhër të menjëhershëm të mbrojtjes.
Etleva Sheshi, drejtore e politikave të përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ndër vite rastet e evidentuara dhe të denoncuara për dhunë në familje kanë ardhur në rritje.
“Numri i rasteve që janë evidentuar dhe denoncuar ka ardhur në rritje ndër vite. Referuar rasteve të trajtuara, për vitin 2022 kanë qenë rreth 5210 raste të denoncuara pranë policisë, prej të cilave 2940 raste janë trajtuar me urdhër mbrojtje. Në vitin 2023 kjo shifër ka qenë 5064 raste dhe ku me urdhër-mbrojtje janë trajtuar 2730 raste dhe në 3-mujorin e parë të vitit 2024 kemi 1197 raste nga të cilat janë trajtuar me urdhër mbrojtje 627 raste”, thotë Etleva Sheshi, drejtoresha e politikave të përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore.
Tirana mban numrin më të lartë të denoncimeve, por fenomeni i dhunës po evidentohet në çdo qark.
“Dhuna nuk ndahet dot në shtresa, viktima të dhunës në marrëdhënie familjare mund të jetë kushdo person nuk ka ndikim nëse jeton në kushte shumë të mira ekonomike apo të ulta. Numrin më të madh të rasteve e kemi për qarkun e Tiranës, kjo edhe sepse shumica e popullsisë jeton në Tiranë”.
Përveç qendrave kombëtare si dhe ato 72-orëshe, në vend janë 33 shërbime për strehimin e viktimave të dhunës në marrëdhënie familjare. Për të shmngur tragjedi si rasti i 39-vjeçares, autoritetet kërkojnë anagzhimin e të gjithë shoqërisë, por edhe strukturave shtetërore lokale për të evidentuar rastet e dhunës në familje.
Tv Klan