Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një reagim publik shprehet se ngjarja e rëndë e Shkodrës e vetëmbytjes së nënës së re me tre fëmijët i ka tronditur të gjithë.
“Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, na ka tronditur të gjithëve. Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.”
Ai i bëri thirrje çdo gruaje që të denoncojë çdo lloj forme dhune, duke u theksuar se ajo nuk është një çështje private. Balla ishte dhe në qendrën “Vatra” në Vlorë, e ngritur për strehimin e grave të dhunuara.
“Duhet t’ja tregojmë çdo vajze e gruaje, ajo që denoncon dhunën, duhet ta dijë që e pret një jetë shumë e mirë. Sepse një prej hezitimeve që kanë, është që më mirë po duroj se nuk kam ku shkoj, çfarë do thonë komshinjtë, familja, fisi. Të thonë ça të duan, por askush nuk ka lindur për të vuajtur”.
Ministri, u shpreh se po punohet për programe strehimi dhe përkujdesje për të ndihmuar ato që kanë rënë apo janë pre e dhunës.
“Nuk do t’ju mungojë asgjë, që nga siguria por edhe pjesa e trajtimit me banesa, do të shohim mundësitë nëse kemi apartamente të konfiskuara ndaj krimit të organizuar apo korrupsionit, apo me programe të posaçme që ka Bashkia e Vlorës, për të kaluar në fazën e dytë”.
Për Ballën qendra në Vlorë, shihet si një model për t’u hapur dhe në qytetet e tjera të vendit.
Tv Klan