11 shtetas të Maqedonisë dhe më tej mbeten të ashtuquajtur në listë të zezë amerikane. Me vendim të nënshkruar nga presidenti amerikan Barack Obama 10 qytetar shqiptarë nga Maqedonia dhe një qytetar maqedonas u është vazhduar qëndrimi në këtë listë edhe për një vit të plotë.
Bëhet fjalë për persona të cilët administrata amerikane i llogarit si rrezik potencial për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe pengesë për implementimin e marrëveshjeve së Ohrit.
Në mesin e tyre gjenden edhe kryetari i PDSH Menduh Thaçi, deputetët Xhevat Ademi dhe Daut Rexhepi si dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Buskovski.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni respektojnë vendimin e administratës amerikane, por në mesin e personave nga Maqedonia ka edhe të atillë që nuk meritojnë të jenë në këtë listë.
“SHBA-ja dhe më tutje ngelin me atë përkushtim që ishin më herët, të interesuar pas rrethanave në Ballkan, posaçërisht në Republikën e Maqedonisë, ku kemi një proces prej vitit 2001. Është një proces për implementimin e marrëveshjes së Ohrit ku direkt ishin të kyçur SHBA. Shumë persona që gjenden në atë listë apo një pjesë e tyre nuk duhet të jenë pjesë e asaj liste.”
“Unë besoj që ky mos ndryshim i listës është edhe një mesazh për politikanët apo për njerëzit të cilët ndodhen në atë listë që të fillojnë me ndryshimin e kursit politik dhe jo vetëm në aspektin deklarativ, por edhe në aspektin praktik të ndryshojnë politikën e tyre.”
Shtetas të Maqedonisë figurojnë në listën e zezë amerikane që nga viti 2001. Personave të cilët gjenden në këtë listë u ndalohet hyrja në SHBA, kurse atyre u bllokohet edhe pasuria eventuale që posedojnë në SHBA./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu