ARRSH: Do mbyllen, cenojnë sigurinë rrugore
Në akset rrugore në Shqipëri janë 1300 hyrje dalje të paligjshme të cilat do të mbyllen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pasi rrezikojnë sigurinë rrugore. Në një intervistë për Tv Klan, drejtori i ARRSH, Ervis Berberi tha aksi Tiranë-Durrës dhe Milot-Lezhë janë më problematiket për hyrje dalje në rrugë.
“Më problematikët kemi aksin Tiranë-Durrës me mbi 300 hyrje-dalje. Kemi aksin Lezhë-Shkodër, Milot-Lezhë”.
Përveç hyrje daljeve në rrugë të krijuara nga subjektet, në mjaft raste ato janë hapur nga banorët e zonës. Në këtë rast do të jetë ARRSH, e cila do të projektojë hyrje daljet sipas standardeve rrugore, ose një rrugë dytësore për banorët.
“Do futemi dhe më në detaje për të marrë edhe identifikimet në përgatitjen e projekteve për të gjitha këto hyrje-daljet që cenojnë sigurinë rrugore dhe përshtatjen e tyre në ato vende ku është mundshme për t’u kthyer në parametrat e nevojshëm të Kodit Rrugor. Për ata që nuk është e mundur, do të mundohemi të sigurojmë një rrugë alternative”.
Nëse ndërhyhet pa leje për rihapjen e tyre, do të ketë edhe masa administrative dhe penale.
“Nëse verifikohet që gardellat hiqen, në këtë moment ndërhyn Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit që bën vendosjen e gjobës dhe denoncimin për marrjen e masave për kryerjen e një vepre penale”.
Nga hyrje-daljet që janë aktualisht në akset rrugore vetëm 64 prej tyre janë të ligjshme. Të gjithë subjektet që do të kërkojnë të rihapin hyrje daljet, duhet të aplikojnë për t’u pajisur me autorizim zone shërbimi.
Tv KIan