Në grevë urie pas vendimit për kufizim të takimeve me familjarët për shkak të Covid

Përshkallëzohet protesta e të dënuarve në burgun e Peqinit. Sipas të dhënave rreth 150 të dënuar në këtë institucion kanë refuzuar marrjen e ushqimit duke hyrë në grevë urie. Shkak për ndërmarrjen e një vendimi të tillë është bërë një urdhër i dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të kufizuar takimet e të burgosurve me familjarët për shkak të situatës prej Covid 19-të.

Burimet thonë se bëhet fjalë për të burgosurit e Godinës B, ku vuajnë dënimin persona që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe kanë kryer vepra të rënda penale.

Burime zyrtare nga institucioni i vuajtjes së dënimit të kontaktuar pranojnë protestën që ka nisur nga dje, por sqarojnë se sot numri i atyre që kanë refuzuar ushqimin në mëngjes ka qenë më i ulët.

Të njëjta burime sqarojnë se një të burgosuri i lind e drejta të takoj familjen vetëm një herë në muaj dhe këta të fundit duhet të kenë me vete test PCR të 24 orëve të fundit, certifikatë vaksinimi nëse kanë kryer vaksinën, ose vërtetim nga mjeku i familjes që e kanë kaluar së fundmi koronavirusin.

Klan News