Nëpërmjet një droni është tentuar të futet drogë në burgun e Peqinit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se mbrëmjen e të enjtes, rreth orës 20:37, shërbimet e sigurisë konstatuan një dron, që fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut.
Për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy kuti qumështi brenda ambienteve të burgut, të cilat u hapën më pas nga policia e burgjeve. Pas kontrolleve u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një celularë si dhe 8 fisha për karikimin e telefonave. Në pakon tjetër u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.
Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të burgut, si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje.
Në planin e masave është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do dyshohen për përfshirje në këtë rast do transferohen menjëherë në burgje të tjera. Ky është rasti i dytë ku dronët përdoren për të futur sende të paligjshme në burgje. Disa ditë më parë një i ri u ndalua pasi dyshohet se tentoi ta bënte diçka të tillë në burgun e Burrelit.
Klan News