Ky është momenti kur kamerat e sigurisë së burgut të Peqinit konstatojnë një dron mbi ambientet e institucionit të sigurisë së lartë ku vuajnë dënimin shumë personazhe të botës së krimit.
Mjeti fluturues me telekomandë vuri në lëvizje policinë e burgjeve e cila arriti ta kapë atë. Përmes këtij droni, policia tha se u tentua të futeshin në burgun e Peqinit, telefona dhe drogë.
Mbi dron ishin vendosur dy kuti qumeshti siç i shihni në këto foto, të cilat u hodhën në ambjentet e burgut, por që më pas u sekuestruan nga policia.
Brenda tyre u gjetën 2 telefonë të markës Iphone, 380 gramë kanabis dhe 33 doza kokainë siç mund t’i shihni dhe në këto pamje.
Drejtoria e Burgjeve tha në një komunikim zyrtar se ka shtuar forcat e sigurisë dhe ka vendosur që të gjithë të burgosurit dhe paraburgosurit të dyshuar për futjen e sendeve të paligjshme, të transferohen.
Kjo është hera e dytë në pak ditë që janë duke u përdorur dronët për të aksesuar të dhëna nga burgjet, apo për të futur sende të paligjshme.
Rreth një javë më parë një dron u kap nga policia e burgjeve në Burrel, në tentativë për të futur sende të paligjshme. Për këtë rast në pranga ra një 36 vjeçar, banues po në këtë qytetet që dyshohet se futi pajisjen inteligjente.
Tv Klan