Në kujtimet për vendlindjen, Vida Kunora ndalet edhe te lidhja e fortë me  familjen dhe kryesisht me tezen. Këngëtarja tregon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se janë rritur 17 fëmijë në një oborr, por ajo ka qenë gjithnjë më e përkëdhelura e tezes.

Vida Kunora: Familja jonë, është një histori, kanë qenë dy motra në një shtëpi dhe jemi rritur 17 fëmijë në një oborr. Kur kemi pasur frikë t’i themi diçka nënës,unë kam shkuar t’ia them tezes, pavarësisht se dihet lidhja me nënën që unë kam një lidhje më shumë se çdokush mendoj, them për vete. Jemi 7 fëmijë dhe ajo çdo gjë që ka e bisedon më shumë me mua. Përveç kësaj, lidhja më e madhe ka qenë me tezen. Edhe kur jam fejuar, më mirë jam marrë vesh me tezen dhe kur kanë ardhur të më kërkojnë se normalisht  kanë ardhur sipas zakoneve, është dashur të thërrasin tezen që të vijë aty. E kam pasur dhe vazhdoj ta kem, është 86 vjeçe, është një grua dhe malësore shumë e lezetshme që unë e kam shumë për zemër dhe vazhdoj ta kem akoma lidhjen me të, me tezen. Çdo gjë, kur ka qenë ndonjë problem, më fsheh, mos më bërtit, ndonjë gabim a gjë, jam fshehur pas tezes. Kam me të vërtetë lidhje shumë të madhe me të, ndoshta më shumë se sa vajzat e veta. Ia kishte falur dikush një çantë, ajo s’e dinte, ajo çanta ishte  firmato, ajo s’e dinte e shkreta, ia kishte dhënë dikush në Itali, ia shoh në dorë unë dhe i them “zemër, ajo çanta…”, “kur të duash ta jap, ta jap kur të duash ti, vajzave të mia s’ia jap, ty ta jap”, domethënë më  shpirtërore, më e lidhur kam qenë me tezen dhe vazhdoj të  jem.

Vida shton se kur lindi ajo, familjen e saj e ndante vetëm një gardh nga familja e tezes, por gjithçka e bënin bashkë. Ajo edhe sot habitet ende nga mbarëvajtja që kanë pasur, edhe pse ishin 17 fëmijë.

Vida Kunora: Kemi shkuar fort mirë, 17 fëmijë, habitem si s’jemi kapur prej flokësh. Unë kam dy fëmijë, derisa janë bërë 17 vjeç, kapeshin për flokësh me njëri-tjetrin. Jam kthyer nga një dasmë t’i ndaj, aq keq ishin kapur poshtë tavolinës. Unë habitem si s’jemi ngatërruar, një copë bukë kemi pasur. 17 fëmijë në një oborr!/tvklan.al