2 viktima, dhjetëra të lënduar dhe një mijë ndërtesa të shkatërruara është bilanci i deritanishëm i zjarreve masive që kanë rrethuar periferitë veriore të Los Angeles-it dhe që po vazhdojnë të përhapen me shpejtësi jashtë kontrollit, të ushqyer edhe nga erërat e fuqishme.

Viktimat u shënuan në lagjen Eaton, që është përfshirë nga një prej vatrave të mëdha. Zjarri në këtë zonë ka përfshirë një sipërfaqe prej më shumë se 9 kilometrash katrorë.

Vatra më e madhe është ajo e lagjes Palisades, e përhapur të Martën për pak orë në mbi 12 kilometra katrorë, për shkak të erërave që arritën një shpejtësi prej të paktën 90km/orë, siç duket në këto pamje.

Autoritetet urdhëruan 60 mijë banorë të largohen nga banesat. Zonat e përfshira nga flakët janë kryesisht banesa luksoze. Mes ndërtesave me urdhër evakuimi është edhe ajo në pronësi të zv/presidentes Kamala Harris.

Mbi 1 mijë zjarrfikës po përpiqen të shuajnë flakët, duke kapërcyer kapacitetet lokale. Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës nga guvernatori, atyre po u vijnë në ndihmë edhe forca nga administrata federale, siç urdhëroi edhe presidenti Joe Biden.

Ekipet e emergjencës thonë se erërat pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim, ndaj dhe sipas tyre më e keqja duket se ende s’ka ardhur.

Tv Klan