Kuvendi mbajti seancë solemne për nder të 2-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Krerët e vendit vlerësuan lartë të arriturat e Kosovës në këto dy vjet të pavarësisë së saj.
Fatmir Sejdiu: “Problemi ynë i vetëm në raportet me jashtë mbetet Serbia, e cila po e vazhdon politikën e saj agresive kundër Kosovës”.
Jakup Krasniqi: “Kosova e pavarur është realitet i pa kthyeshëm dhe integriteti i saj i garantuar ndërkombëtarisht është i pa cenueshëm”.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se 17 shkurti është kurorëzimi i rrugëtimit shekullor të Kosovës për të cilin sakrifikuan shumë gjenerata.
Hashim Thaçi: “Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të republikës së Kosovës. Çdo qytetar duhet të ndihet krenar kudo që jeton, në Kosovë e Diasporë si qytetar dhe si falje e kësaj shoqërie. Populli i Kosovës është krijues i shtetit të Kosovës”.
Liderët kosovarë vlerësuan se sfidat e tjera të shtetit të Kosovës mbesin zhvillimi ekonomik dhe integrimet Euro Atlantike, po ashtu ata shprehin bindjen se numri i shteteve që kanë njohur Kosovën do të rritet pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë./tvklan.al