Shqipëria turistike ka zënë sërish vend në mediat e huaja, të cilat i bëjnë jehonë bukurive dhe mundësive që ofron vendi ynë për të pushuar. Kësaj here është media spanjolle “Veinte minutos”, ajo që e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura të kaluar pushimet në vitin 2024.
“Ju mund të shijoni një verë relaksuese për rreth 40 euro në ditë, duke përfshirë akomodimin, ushqimin dhe transportin lokal”, thuhet në artikull.
Sipas revistës spanjolle në vende si, Shqipëria, Greqia, Armenia, Sllovakia mund të shijohen pushime të paharrueshme, pa shpenzuar shumë para. E vendosur në brigjet e detit Adriatik, në veri të Greqisë dhe përballë Italisë, për momentin pak udhëtarë i njohin thesaret e mëdha që gjenden në Shqipëri.
Mes vendeve interesante, “Veinte minutos” rendit Beratin, qytetin e një mijë e një dritareve, i vendosur mbi një kodër. Riviera bregdetare e Adriatikut dhe e Jonit, krahasohet me atë të Italisë, por ndryshe nga fqinji ynë detar cilësohet si shumë më e përballueshme.
Turistët janë të entuziazmuar për shërbimin e mirë dhe ushqimin e freskët, që sipas revistës spanjolle shijohet pranë një pamje mjaft panoramike, jo vetëm në bregdet por edhe në qytetet e vogla, që sipas “Veinte minutos” ia vlejnë të eksplorohen.
Tv Klan