Ekipet e shpëtimit gërmuan nëpër rrënoja në fshatin boshnjak Donja Jablanica të shtunën në mëngjes duke kërkuar për njerëzit që u zhdukën në përmbytjet më vdekjeprurëse të Bosnjës në vite.
N1 TV raportoi se 21 persona kishin vdekur dhe dhjetëra ishin të zhdukur në zonën e Jabllanicës, 70 kilometra në jugperëndim të Sarajevës.
Alka Glusiç, 74 vjeç, thotë se humbi katër të afërm në përmbytjet vdekjeprurëse, ndërsa kujton se ishte alarmuar nga një zhurmë e ngjashme me atë të një tërmeti, e ndjekur nga një e dytë gjatë natës.
“Shkuam bashkë në shtëpinë e vëllait tim, i cili vdiq, së bashku me motrën dhe nusen… Të gjithë vdiqën, nuk ka mbetur askush, vetëm një djalë ka mbetur tani”, tha ajo.
Shiu i dendur gjatë natës ndërpreu kërkimet për të mbijetuarit, por në mëngjes pamjet me dron dhanë një panoramë më të qartë të katastrofës që goditi një ditë më parë Jabllanicën.
Rrugët, urat dhe hekurudhat janë shkatërruar dhe shumë qytete ende nuk kanë energji elektrike.
Komisioni Zgjedhor i Bosnjës vendosi të shtyjë zgjedhjet lokale në komunat e prekura nga përmbytjet këtë fundjavë, ndërsa votimi në vende të tjera do të vazhdojë sipas planit.
Përmbytjet pasojnë një thatësirë të paprecedentë të verës, e cila shkaktoi tharjen e shumë lumenjve dhe liqeneve, duke prekur bujqësinë dhe furnizimin me ujë në zonat urbane në të gjithë Ballkanin dhe në pjesën më të madhe të Evropës.
Meteorologët ia atribuojnë këto ndryshime ekstreme të motit ndryshimeve klimatike.
Tv Klan