29 vatra zjarri janë regjistruar në të gjithë vendin në 24 orët e fundit. Në një dalje për mediat kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend ku ndër të tjera tha se 14 vatra janë ende aktive, teksa më problematike situata mbetet në malin e Tomorit ku për shuarjen e zjarreve është angazhuar edhe një avion rumun.
Haki Çako: Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 vatra zjarri në disa zona të vendit, nga të cilat 15 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll. Vatrat më problematike aktualisht janë në zonat malore, pyje dhe kullota, larg qendrave të banuara, si në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bolotekut dhe malin Tërnovë në Bulqizë.
Për shuarjen e këtyre vatrave, Çako njofton se në terren janë të angazhuar forca të shumta zjarrfikëse, por jo vetëm.
Haki Çako: Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 320 forca zjarrfikëse, 238 forca ushtarake, 250 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 120 nga administrata e zonave të mbrojtura, 187 shërbimi pyjor, si dhe 130 vullnetarë. Forcat ajrore dhe mjetet ajrore janë në gatishmëri të plotë.
Paralelisht me operacionet për shuarjen e flakëve në vend, hetime po kryen dhe për autorët e vatrave të regjistruara ku në pjesën më të madhe të rasteve kanë rezultuar zjarrëvënie të qëllimshme.
Tv Klan