Në Strasburg, 30 deputetë të grupit parlamentar demokrat shkuan jo vetëm për të protestuar në mbrojtje të kauzës së tyre, por edhe për të sensibilizuar kolegët e Parlamentit Europian.
E teksa disa prej demokratëve protëstonin jashtë dyerve të PE-së, një përfaqësi e tyre u takua edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në PE-së David McAllister, të cilin Gazment Bardhi tha se e njohën me faktet e arrestimit politik të Sali Berishës, vënien e drejtësisë në shërbim të Kryeministrit dhe mungesën e zgjedhjeve të lira.
Gazment Bardhi: Kemi ngritur çështjen e burgosjes politike të Berishës, Salianjit, të zyrtarëve të tjerë të opozitës. Kemi ndarë faktet sesi Rama injoron zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe propagandon reformën në drejtësi për të mbrojtur zyrtarët qeveritarë të korruptuar.
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve tha se nga eurodeputetët me të cilët kishin zhvilluar përgjatë dy ditëve takime, kishte kërkuar një shtim të vëmendjes lidhur me situatën në Shqipëri.
Gazment Bardhi: Ka gjetur mirëkuptimin për të rritur ndjekjen më nga afër të situatës në Shqipëri.
Në korridoret e Parlamentit Europian, ata takuan edhe Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, të cilin e informuan mbi situatën politike në Shqipëri dhe duke theksuar se vendi ka nevojë jetike që të rikthehet në shinat e shtetit ligjor dhe demokratik.
Sipas demokratëve, përpjekjet e opozitës për të garantuar shtetin ligjor dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri, janë rruga e vetme që e afron Shqipërinë në familjen europiane, mbështetje për të cilën nga Partia Demokratike do të mbetet e pakursyer.
Tv Klan