Rrezikon negociatat, KE: Marrëveshja s’duhet prekur
Tre deputetë kryesorë të Parlamentit Europian apeluan që marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore, e firmosur më 5 Qershor, të mos modifikohet pa konsensus.
Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister i Partive Popullore Europiane, raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos e Socialistëve Europianë dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis i Partive Popullore, i kërkuan Parlamentit shqiptar të miratojë sa më shpejt, pa dëmtuar dakordësinë, pasi rrezikohen negociatat.
“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 Qershor. Çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit evropian”.
“Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara”.
Më herët, edhe Komisioni Europian kërkoi përmes një zëdhënëseje që marrëveshja të mos rrezikohej nga ndryshime të tjera ligjore, duke theksuar rëndësinë e votimit pa ndryshime të draftit të dakordësuar ndërmjet palëve në Këshillin Politik.
“Është thelbësore që marrëveshja e 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore në Shqipëri të ruhet e pandryshuar, nisur nga nevoja për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, një kusht i vendosur nga Këshilli në Mars, përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Asnjë ndryshim tjetër ligjor nuk duhet të rrezikojë këtë qëllim kryesor”.
Pak ditë më parë i njëjti apel u adresua nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe nga nënkryetari i grupit të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, Johann Wadephul.
Tv Klan