Dy persona të maskuar që lëviznin me motor, kanë kanosur me armë zjarri në afërsi të një lokali në pedonalen e Shkodrës, 32-vjeçarin e identifikuar si Arlind Bushati. Ka qenë vetë i riu që ka kallëzuar në polici ngjarjen e regjistruar rreth orës 22:30 të së enjtes.
Pas këtij denoncimi policia është vënë në lëvizje dhe po kryen verifikime bazuar edhe në pamjet filmike, për të identifikuar autorët. 32-vjeçari rezulton të jetë djali i Xhemal Bushati, ish-kandidatit të PD për Bashkinë e Shkodrës më 6 mars të 2022.
Vetë Bushati, ka qenë në shënjestër të një sulmi kriminal, po në mars të 2022, ku në një godinë dy katëshe në pronësi të tij, por të lëshuar me qira u vendos nga persona ende të paidentifikuar rreth 400 gramë tritol. Tv Klan publikoi në atë kohë pamjet e atij shpërthimi, që shkaktoi vetëm dëme të konsiderueshme materiale.
Tv Klan