Janë 3580 punonjës që kanë hyrë në administratë gjatë periudhës së fushatës elektorale. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e Task Forcës së ngritur për monitorimin e administratës. Në njoftimin për shtyp thuhet se në bazë të informacioneve të ardhura, punësimet janë bërë në kundërshtim me urdhrin e kryeministrit, ndërsa nga ana e saj zv/kryeministrja Ledina Mandija ka kërkuar që të dhënat t’i dërgohen Kontrollit të Lartë të Shtetit për një verifikim të hollësishëm të të gjitha rasteve.

Punësimet e reja janë bërë në ministri, bashki dhe kompani publike. Task Forca po ashtu ka kallëzuar në prokurori shoqërinë e Ujësjellës kanalizimeve, që është në varësi të Bashkisë së Tiranës, se pas datës 26 Maj  në të janë punësuar 18 shtetas dhe janë larguar 7 të tjerë në shkelje të Kodit Elektoral. Zyra e Zv/Kryeministres Mandija njofton se ka dyshime të arsyeshme që janë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Një ditë përpara mbajtjeve të zgjedhjeve parlamentare, Task -Forca miratoi edhe planin e masave operacionale për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Të gjithë qytetarët që duan të denoncojnë rastet e përfshirjes së administratës ditën e zgjedhjeve si dhe në procesin e numërimit, është hapur portali elektronik i denoncimeve.

 

TV KLAN