“Vendimin e merr Task Forca për Covid”
Kur kanë mbetur edhe pak javë nga nisja e vitit të ri shkollor pikëpyetjet e prindërve janë të mëdha për mënyrën si do të jetë rikthimi i fëmijëve në institucionet arsimore në kushtet e pandemisë.
Ministria e Arsimit, Besa Shahini, ka shpërndarë një video-mesazh, por pa mundur të heqë disa nga paqartësitë. Sipas saj synimi është rikthimi në banka, por vendimi do të merret nga Task-Forca për koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë.
“Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”.
Ministrja e Arsimit thotë se mësimi në kushte shtëpie është i vështirë, por edhe vendet që rihapën shkollat u detyruan që të kthehen pas.
“Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë disa për shkak të shpërndarjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor”.
Ministria e Arsimit tha se do të ketë konsultime edhe me mësuesit dhe prindërit deri në marrjen e vendimit për rinisjen e shkollës.
Tv Klan