4 nga 16 emigrantët që mbërritën të mërkurën në Shëngjin janë kthyer sërish në Itali. Pas përpunimit të të dhënave dhe marrjes në pyetje, 2 prej emigrantëve rezultoi se ishin minorenë. Pas konstatimit të këtij fakti, autoritetet italiane të qendrës së pritjes në Shëngjin vendosën që ata të mos transferohen në kampin e Gjadrit.

Pas disa orësh, nga analizat dhe vizitat mjekësore, i njëjti vendim u mor edhe për dy azilkërkues të tjerë, pasi konstatuan se vuanin nga sëmundje të rënda që kërkonin trajtim të specializuar. 16 emigrantët e parë nga Egjipti dhe Bangladeshi mbërritën në vendin tonë nga Lapeduza ndërsa veç tyre në bordin e anijes ushtarake “Libra” ishte edhe stafi i autoriteteve italiane.

12 emigrantët e mbetur në qendrën e pritjes në Shëngjin janë azilkërkuesit e parë që pritet të transferohen në kampin e Gjadrit në Lezhë në pritje të shqyrtimit të kërkesës dhe përfundimit të procedurave nëse mund të përfitojnë azil në Itali. Kështu, nga kjo e mërkurë ka hyrë në fuqi marrëveshja italo-shqiptare me afat 5 vjeçar, në bazë të së cilës, në vendin tonë pritet të vijnë rreth 36 mijë refugjatë të cilët do të shpëtohen në det nga autoritetet italiane.

Klan News