Këtë të Enjte në studion e “Opinion” kanë qenë të ftuar 4 përfaqësuesit e partive më të reja. Agron Shehaj, Arlind Qori, Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj shkojnë drejt 11 Majit me synimin për marrjen e sa më shumë mandateve. Por sa e mundur do të jetë duke marrë parasysh se binomi PS-PD ka qenë gjithmonë dominues? Nisur nga kjo, analistët Baton Haxhiu dhe Fatjona Mejdini drejtuan pyetjen: Pse nuk bashkoheni për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Teksa dukej se do merrnim përgjigje të qarta prej secilit, diskutimi përshkallëzoi në debat për një temë krejt tjetër. Megjithatë në ato pak minuta, para se pyetja të lihej në harresë, u la të kuptohet se “JO, 4 partitë nuk shkojnë në zgjedhje me koalicion”.

Shabani dhe Lapaj ishin të vetmit që thanë fjalë për fjalë “derën e kemi të hapur”, por siç duket s’ka pasur përpjekje mjaftueshëm (ose aspak) nga të tjerët.


Baton Haxhiu: Nga gjithë hapësira politike, të 4-ërt nuk e arrijnë shifrën e duhur të mbështetjes përveç zotit Lapaj…që kap ndonjëherë shifrën 7%. Pse e nisa me këtë?

Agron Shehaj: Na trego burimin njëherë…

Baton Haxhiu: Unë jam burimi! Dy arsye, për arsye se ende nuk është kontestuar binomi PS-PD, sepse për një kohë të gjatë janë poralizuese dhe mbajnë narrativën e tregut politik. Partitë e majta dhe sidomos ato social-demokrate nuk tërheqin asgjë nga Rama. Pse nuk bashkoheni në këtë fazë sepse 4 parti të reja s’do arrini asnjë sukses?

Agron Shehaj: Batoni duhet dëgjuar me shumë vëmendje se është shumë domethënëse se çfarë thotë. Ti po merresh me mua o Baton, unë s’të ndërpreva. Sapo tha se kush nga ne ka më shumë mbështetje dhe na tha se ne e kemi të kotë se vota mund të marrim vetëm nga PD-ja, Ramën nuk e prekim. Ne flasim për bashkim, kemi 30 vjet. Nuk flasim për vërtetësi, për një opozitë të vërtetë. Nëse ka një gjë nga e cila vuan opozita sot, nga vërtetësia. Qytetarët mendojnë se nuk ka opozitë. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë! Këtu nuk merret vesh asnjë gjë, ka korrupsion pafund, opozita gjoja e lufton si askush më mirë e më shumë dhe njerëzit kanë kuptuar se është një teatër i madh.

Blendi Fevziu: Ju flisni si ata, pyetja ishte bashkoheni a jo?

Agron Shehaj: Si do bashkohemi, duhet të bashkohemi pas kauzave!

Endrit Shabani: Padyshim nuk jemi njësoj, por këto debate duhet t’i bëjmë në Parlament jo në podcaste. Unë jam i idesë që të rinjtë duhet të bëhen bashkë për të rritur numrin e përfaqësimit në Parlament. Në këtë moment, nevoja historike është që të rinjtë të bëhen bashkë kundër të vjetërve. S’kam koalicion me asnjë parti të vjetër! Nuk arrij dot t’ua imponoj të tjerëve, dera është e hapur.

Arlind Qori: Sondazhi më i mirë publik një javë para zgjedhjeve lokale mua më ka nxjerrë 2% mbështetje, unë kam marrë 5% si kandidat për bashkinë Tiranë. Jemi kërcënim për partinë në pushtet, oligarkinë ekonomike dhe nga njerëzit politikë në Shqipëri unë jam më pak i pranishëm. Kjo tregon frikën që ka pushteti politik nga Lëvizja Bashkë.

(Në këtë momenti diskutimi devijoi në debatin që përshkoi thuajse gjithë emisionin e mbrëmjes së sotme)

Unë derën e kam të hapur për të gjithë. Luftën nuk e kam me këta, por me Edi Ramën“, u shpreh Adriatik Lapaj, një orë më vonë.

E.D/tvklan.al