Emisioni i sotëm i “Opinion” ishte parashikuar që të flitej mbi partitë e reja në Shqipëri, ku 4 liderët e tyre ishin ftuar në studio.
Por debati u ndërpre për shkak të akuzave të kreut të “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, i cili pretendoi se nuk është ftuar në emisionin “Opinion” prej më shumë se 1 viti.
Gazetari dhe drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu u shpreh se në studion e tij ka ftuar njerëz të kategorive të ndryshme, që nga ata të thjeshtët e deri tek miliarderë.
Ai theksoi se i vetmi yll polar që e ka orientuar në punën e tij ka qenë instinkti i gazetarit që të ketë audiencë. “Ndryshe nuk do isha 27 vjet në këtë studio dhe ta mbaja ende”, tha ai.
Fevziu u shpreh se është e papranueshme dhe askush nuk guxon t’u imponojë gazetarëve si të bëjnë detyrën e tyre.
“Po në këtë vend vidhet, po në këtë vend ka abuzim, po në këtë vend politikanët u ngrenë zërin gazetarëve dhe i urdhërojnë se çfarë duhet të bëjnë, po në këtë vend politikanët janë drita, dielli dhe kur s’janë politikanë janë normalë, kur bëhen politikanë fillojnë me të njëjtën arrogancë. Jo mor jo, nuk guxon asnjeri dhe nuk ka njeri në këtë botë që t’u imponohet gazetarëve për atë se çfarë do bëjnë, si do ta bëjnë dhe pse e bëjnë. Nuk ka asnjë njeri në botë që të imponohet. Çdo njeri e ka integritetin e tij të matshëm me punën e tij. Unë kam 27 vjet në këtë studio, kam njohur politikanë nga më të rëndësishmit, kam njohur politikanë nga më të zakonshmit, kam njohur njerëz që kanë qenë në fatkeqësi, kam njohur njerëz që kanë qenë në kulmin e tyre. Kam futur në studio miliarderë dhe njerëz që vuanin për bukën e gojës, që kanë ardhur këtu për të ndihmuar. Ky është pak a shumë një lloj pazëlli i madh i Shqipërisë.
Në këtë Shqipëri natyrisht kishim shumë shpresë që të rinjtë të jenë ndryshe. Çfarë ndodh? Në vitin 2008 kam zhvilluar një emision që titullohej politikanët e rinj. Debat që shumë veta e mbajnë mend ku më shumë sherr se sa në politikën paraardhëse u bë në atë studio. Pastaj u kthye në artikuj. Shih çfarë ndodh, nisesh me idenë për t’ju bërë një prezantim normal, pak më ndryshe nga përditshmëria në mënyrë që të tregohet që ky spektër politik ka dhe ofertë tjetër, nuk është kaq i varfër dhe shihe ku mbërrin debati. Bëhet një debat ku kërkesa kryesore është pse s’më fton dhe sa më fton dhe maten ditët e ftesave. Në këtë studio mund të kenë qenë rreth 10 mijë persona, se disa kanë qenë me dhjetëra herë, sepse kam marrë një vendim që politikanë të jenë më pak. Ndërkohë që politikanë, pjesa më e madhe nuk kanë qenë fare prezentë. Një herë në vit kryeministri, një herë në vit kryetari i opozitës. Njerëz deputetë vijnë kur ka ngjarje në parlament sepse emisioni nuk varet nga njerëzit, emisioni bëhet nga ngjarja e ditës. Dhe ngjarjen e ditës e përcaktoj unë në bazë të shikueshmërisë, nuk ma përcakton askush. Politikanët thonë pse nuk e bën emisionin vetëm politikë. Njerëzit që takoj në rrugë thonë pse merresh me politikanët, bëje me lëvizjet për Shqipërinë, bëje me artizanë, të shohim njerëz normal thonë. Unë po e bëj me të gjithë se kam një instinkt si gazetar që të kem audiencë. Ky ka qenë i vetmi yll polar i imi dhe i vetmi që më ka orientuar, ndryshe nuk do isha 27 vjet në këtë studio dhe ta mbaja ende.
Përveç studios kam ndërtuar një rrjet social që ndoshta sot është ndër më aktivët në Shqipëri. Mjafton t’ua hap për ta parë që çdo muaj kam 19 milionë shikime, vetëm këtë muaj që flasim tani dhe mbi 2.2 milionë unique followers që më ndjekin çdo muaj. Natyrisht rrjetet sociale nuk i kam ngatërruar me politikën, por kur ti vjen për të bërë një gjë dhe gjëja kthehet në një situatë të tillë është absolutisht e papranueshme dhe unë po them, s’ka njeri në botë dhe s’guxon askush t’u bërtasë gazetarëve. Gjithsecili ka rrugën e vet, ka karrierën e vet, por nuk i jep leksione për punën e vet. Secili e bën punën e tij si do”, tha Fevziu./tvklan.al