Masa bllokuese deri në gjetjen e vaksinës, kurim me ilaçe dhe testime

Teksa i gjithë globi pret me padurim mbarimin e pandemisë së koronavirusit dhe rikthimin në jetën normale, e përditshmja prestigjoze britanike The Guardian ka publikuar në një analizë 4 skenarë se si mund të përshpejtohet fundi i saj.

Një prej ideve është që qeveritë e gjithë globit të bëhen sëbashku për të realizuar një sistem të shpejtë dhe të lirë kurimi nëpër klinika e spitale, duke mbajtur mbyllur njëkohësisht kufijtë për një kohë të caktuar.

Gjatë kësaj periudhe duhet zhvilluar një fushatë tepër e shpejt për identifikimin dhe izolimin e bartësve për parandalimin e transmetimit. Por kjo për momentin është pothuajse e pamundur për shkak se nuk ka ilaçe dhe vaksina kundër koronavirusit.

Një mundësi e dytë është që masat e bllokimit të vijojnë deri në prodhimin e vaksinës, pra deri në 18 muaj. Në këtë kohë, qeveritë të bëjnë çmos për të shtuar kapacitetet në spitale për kurimin e të gjithë të infektuarve. Megjithatë shumë vende, sidomos më të varfërit, por edhe disa vende të pasura, nuk kanë mundësi financiare për shtimin e kapaciteteve spitalore.

Si alternativë shihet edhe modeli i Koresë së Jugut, ku po kryhet me shpejtësi testimi i popullsisë për të zbuluar dhe izoluar individët e infektuar dhe për t’i vendosur ata në karantinë deri tre javë. Kjo kërkon shumë fonde për blerjen e pajisjeve të testimit në masë, por edhe aplikacione virtuale për gjurmimin e personave të vendosur në izolim, në mënyrë që ata të mos shkelin rregullat e karantinës. Jo të gjitha vendet e botës e kanë mundësinë për krijimin e këtyre kushteve.

Skenari më i mundëshëm, sipas The Guardian mbetet trajtimi i simptomave të koronavirusit dhe jo shkaqet, duke mundësuar edhe lehtësimin e masave të bllokimit. Një mundësi e mirë do të ishte prodhimi i ilaçeve kundër COVID-19, që duan një kohë më të shkurtër për t’u zbuluar sesa vaksina dhe trajtimi i pacientëve me to. Pacientët duhej të ndiqeshin hap pas hapi nga mjekët gjatë trajtimit me antiviralë për të garantuar kryerjen e saktë të tyre dhe për të parandaluar që ata të arrijnë fazën kritike të terapisë intensive.

Tv Klan