Sekuestrohen armët dhe maskat e përdorura në tentativën për ekzekutim
Dy personat e maskuar që ndjekin nga pas me qëllim për ta ekzekutuar biznesmenin Andon Dhima në hyrjen e pallatit të tij janë Grid Leno, 45 vjeç dhe Albin Hoxha 35 vjeç. Ata janë identifikuar nga policia pas tentativës së dështuar për të kryer vrasjen mbrëmjen e 15 Tetorit në Tiranë.
Siç duket edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë atentatorët hynë me shpejtësi dhe njëri prej tyre nxjerr edhe armën, por fati e shpëtoi biznesmenin që arriti në kohë të merrte ashensorin. Pas kësaj autorët u larguan të ndihmuar edhe nga Mariglen Matohiti dhe Enea Hoxha.
Ishte vetë biznesmeni 51-vjeçar që denoncoi rastin në polici duke publikuar edhe pamjet e atentatit të mbetur në tentativë. 3 nga autorët janë me pre cedentë penalë. Grid Leno ka qenë i dënuar me 6 vite burg për vjedhje me armë në Gjermani, Albin Hoxha për plagosje me armë, ndërsa Enea Hoxha i dënuar me 4 vite e 9 muaj për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
35-vjeçarit Albin Hoxha iu gjet në makinën e përdorur në këtë ngjarje kjo pistoletë, si dhe municione. Janë sekuestruar veshjet e përdorura nga autorët, një shkop hekuri policie, një palë pranga, 6 telefona celularë, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi.
Tashmë 4 personat akuzohen për “Vrasje” të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës së policisë”. Hetimet e policisë janë përqendruar tashmë në zbulimin e porositësve të këtij atentati.
Tv Klan