Janë mbushur 4 vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/1999 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Procesi gjyqësor, i cili filloi në prill të vitit 2023, pritet të përfundojë në prill të 2025-ës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u arrestuan në Hagë më 5 Nëntor të vitit 2020.

Secili prej tyre u deklarua i pafajshëm për akuzat e ngritura në Gjykatën Speciale.

Ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-Presidenti i Kosovës tha asokohe: “E ritheksoj. Akuza është krejt e paqëndrueshme. Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, si të paqëndrueshme.”

Sipas Thaçit, UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë dhe vullnetarë që mbrojtën shtëpitë dhe familjet e tyre. Kundërshtarët e saj, thoshte ai, kanë qenë ushtria, policia dhe paramilitarët serbë të provuar më parë edhe në fushatat e vrasjeve në Bosnje Hercegovinë.

/tvklan.al