Rëndohet bilanci i viktimave nga sulmi me raketa ruse që goditi disa qytete të Ukrainës. 41 persona kanë humbur jetën dhe mbi 190 mbetën të plagosur. Spitali kryesor i fëmijëve në kryeqytetin Kiev ishte ndër ndërtesat e goditura. Prindërit mbanin në duar foshnja ndërsa ecnin në rrugë jashtë spitalit, duke qarë pas sulmit ajror.
“Ne erdhëm në spital pesë minuta para se të ndodhte gjithçka. Arritëm në pavijonin e pediatrisë, nuk e di ishte sikur u zgjuam nga një makth. Unë as nuk e di nëse ishte një goditje me raketë apo fragmente të një rakete.”
Presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili u ndal në Poloni përpara se të nisej për në Uashington për samitin e NATO-s, tha se terroristët rusë duhet të përgjigjen për këtë.
“Sulm brutal, Vladimir Putin si një kriminel gjakatar. Ne do të hakmerremi kundër këtyre njerëzve, do t’i japim një përgjigje të fuqishme nga ana jonë Rusisë, me siguri. Pyetja për partnerët tanë është: a mund të përgjigjen ata?, tha Zelenskiy. Sulmi erdhi një ditë përpara se udhëheqësit e vendeve të NATO-s të fillonin një samit tre-ditor, me luftën në Ukrainë një nga fokuset kryesore.”
Presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur një nga sulmet ajrore më të rënda ruse ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës një kujtues i tmerrshëm i brutalitetit të Rusisë.
“Është kritike që bota të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën në këtë moment të rëndësishëm dhe që ne të mos injorojmë agresionin rus. Ne do të shpallim masa të reja për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës për të mbrojtur qytetet dhe civilët e tyre,” – tha presidenti amerikan në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Qeveria shpalli një ditë zie për një nga sulmet më të rënda ajrore të luftës, për të cilën tha se demonstronte se Ukraina kishte nevojë urgjente për një përmirësim të mbrojtjes ajrore të saj nga aleatët e saj perëndimorë. Mbrojtja ajrore rrëzoi 30 nga 38 raketa. Rusia mohoi të ketë shënjestruar spitalin e Kievit. Sistemi energjetik tashmë ka pësuar aq shumë dëme nga sulmet ajrore.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se sulmi ishte një nga më të mëdhenjtë, duke shkaktuar dëme në shtatë rrethe të qytetit. Njëmbëdhjetë u konfirmuan të vdekur në rajonin e Dnipropetrovsk dhe 68 u plagosën, thanë zyrtarët rajonalë. Tre persona u vranë në qytetin lindor të Pokrovsk, ku raketat goditën një objekt industrial. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, dënoi sulmet, duke thënë: “Midis viktimave ishin fëmijët më të sëmurë të Ukrainës”.
Klan News