Plotësimi në karrierë si kirurge plastike, gjetja e njeriut me të cilin ndan jetën dhe më pas bashkëjetesa me të solli natyrshëm dëshirën e Romina Selenicës për t’u bërë nënë. Megjithatë, rruga nuk do të ishte aspak e lehtë sepse ëndrrat e saj shkëputeshin në javën e 10-të. Në një rrëfim për “Rudina” në Tv Klan, kirurgia tregon përjetimin e vështirë të aborteve pasi ka kaluar 5 të tillë.

Rudina Magjistari: Cila ka qenë më e forta?

Romina Selenica: E dyta. E dyta sepse të parën nuk e ndjeva, nuk e përjetova aq shumë sepse nuk e dija që kisha qenë dhe e zbulova në momentin që ndodhi aborti. E dyta ka qenë përjetim si ajo shtatzënia tipike që ti bën ato fotografitë me ekon, ndien rrahjen e  zemrës, fillon të mendosh që ti do të bëhesh nënë dhe fillon të projektosh jetën ndryshe, pra unë tani nuk do të shkoj më në Itali, karriera ime është kështu, në sallë nuk do të jem, pra ndryshon. Në momentin që unë pranova faktin që do të bëhesha nënë, ndodhi aborti.

Rudina Magjistari: E mban mend momentin?

Romina Selenica: Ka qenë 1 Qershori, e mbaj mend shumë mirë.

Kirurgia shton se shpesh dëgjonte fjalë se ajo i ishte përkushtuar karrierës dhe mëmësia nuk ishte në planet e saj. Aborti për të ishte një sfidë që e përballoi 5 herë, gjithashtu adoptoi në distancë një fëmijë në Zanzibar por pas gjithë stuhisë, çifti u bekua me një shtatzëni binjakësh, djalë e vajzë.

Romina Selenica: Ishim të papërgatitur, erdhi pas një operacioni që unë bëra vjet në muajin mars i cili shkoi shumë mirë, fatmirësisht. Patëm periudhën e pushimit që duhet të bënim dhe kishim vendosur që do ta provonim edhe njëherë, nëse sërish do të shkonte në abort, unë realisht isha gati në dorëzim. Edhe trupit fizikisht nuk i bën mirë, por edhe emocionalisht një abort është një vdekje. Dhe Zoti kishte përgatitur që ne të  dy… në fakt kur kemi zbuluar që ishin binjakë, ne nuk e kemi besuar dhe kemi mbi 3 muaj që të ishim të sigurt që do të shkonte, që do të ecnin të dy, aq më tepër pastaj gjinia që kishte qenë qershia mbi tortë.

Në fakt mbaj mend një episod, çdo ditëlindje, duke filluar nga 30-ta, kur fryja qirinjtë kisha këtë dëshirë, “ishalla viti tjetër Zoti më gjen 30+1”, pra30 unë plus një fëmijë, bëra 30+2 dhe Zoti ndoshta të na japë mundësinë që të jemi 30 unë, bashkëshorti dhe fëmija 2 të tjerë. Të njëjtën gjë e përsërita për të tretë dhe kur kam fryrë qirinjtë e vitit të fundit, pra vjet kam thënë nuk kam çfarë i fryj më se s’mund të jemi 4 dhe realisht i kam fryrë qirinjtë duke thënë Zoti plotësoftë dëshirën e mëmësisë. Këtë vit, më ka gjetur 34 vjeç dhe ne jemi 4 pjesëtarë në familje./tvklan.al