Mëmësia është rrugëtimi më i bukur dhe i pritur për shumë gra, por për Dorelën rezultoi një sfidë e vërtetë. Me shumë vështirësi, ajo mundi të mbetej shtatzënë përmes fertilizimit “in vitro”, por shtatzënia nuk rezultoi e suksesshme. Për dy javë, pa e ditur, ajo mbajti fëmijën e vdekur në bark derisa e abortoi spontanisht në tualetin e maternitetit.

Kjo ngjarje, tregoi ajo për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e bëri të përjetonte depresion. Sapo çifti vendosi që të birësonte një fëmijë, Dorela mëson se këtë herë kishte mbetur shtatzënë. Edhe kjo shtatzëni pati shumë vështirësi për të, por më në fund në jetën e saj dhe të Saimirit erdhi një djalë. Koha tregoi që përpara i priste një tjetër sfidë.

Dorela: Me rritjen e djalit kuptuam që diçka nuk shkonte. I bëjmë vizitat në psikologë vlerësues, terapistë dhe marrim vesh që ishte me çrregullim të spektrit autik. Kjo ishte një sfidë akoma më e vështirë për ne se nuk e dinim çfarë i hahej, kur i pihej, çfarë i dhimbte. E çoja nëpër kopshte, nuk ma pranonin se nuk  pranonte të rrinte me shumë njerëz, bëhej agresiv. Kam ndërruar katër kopshte, i vetmi kopsht është ky që e kam tani momentalisht që ma ka mbajtur edukatorja, Lavdia, madje çuni është shumë i lidhur me  të,  i thërret “nëna Lida”. Çunin e kemi ndjekur më parë me terapi, por në pamundësi ekonomike ia kam ndërprerë. Burri punon kamarier, unë punoja në fasoneri por u detyrova  e lashë punën për shkak të djalit se më duhet ta ndjek nëpër terapi. Po kalojmë sfida të vështira si çdo çift, por faleminderit Zotit e shyqyr Zotit kam djalin, jam më e plotësuar, pavarësisht sfidës, pavarësisht problemeve. Është dashuri, janë… nuk e di. Unë sot kam thirrur burrin se ai nuk e pranon dot faktin që djali ka këtë problem. Nuk po e pranon dot pse duhet të na bjerë neve kjo sprovë.

Ardit Gjebrea: Pra mund të themi që ti je më e forta në atë shtëpi?

Dorela: Po! Duhet të bëhem e fortë për djalin, ka nevojë për mua, ka nevojë për dashuri, ka nevojë që t’i qëndrosh pranë pavarësisht se ka problemin, unë nuk e vë në dukje, në rast se burri thotë që “pse duhet t’i kalojmë ne këto”, i kam thënë që duhet të bëhemi të fortë.

Ardit Gjebrea: Pra Saimiri të duket më i dorëzuar?

Dorela: Është më i mbyllur në vetvete.

Ardit Gjebrea: Ka ndryshuar si karakter.

Dorela: Nuk del, është i ndrojtur, nuk hapet, thjesht në punë e shtëpi. Unë i them duhet të dalësh, thotë “por jo kemi djalin…”/tvklan.al