Irani ka shpallur pesë dite zie kombëtare për Presidentin e ndjerë Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën në një aksident ajror me helikopter së bashku me ministrin e Jashtëm dhe personat e tjerë që ishin në bord.
Në fakt, aktualisht në Iran po ndodhin dy realitete. Teksa qeveria dhe mbështetësit e saj janë në zi dhe u mblodhën nëpër xhamira dhe sheshe për t’u lutur për Presidentin dhe ministrin e Jashtëm, shumica e dyqaneve qëndrojnë të hapura dhe nuk e kanë ndërprerë jetën e zakonshme. Autoritetet iraniane bënë pak përpjekje për të ndërprerë jetën e zakonshme të qytetarëve.
Madje, kundërshtarët e regjimit iranian postuan nëpër internet video të njerëzve që shpërndanin ëmbëlsira për të festuar vdekjen e Presidentit Raisi. Kujtojmë se ky i fundit, 1 vit më parë shtypi me forcë protestat dhe demonstratat anti-qeveritare. Qindra iranianë u vranë nga këto trazira vitin e kaluar.
Megjithatë, shumica e qytetarëve janë skeptikë se me vdekjen e tij do të ndryshojë kursi i qeverisë iraniane.
Mbështetësit e klerit në Iran e vlerësojnë figurën e Presidentit Raisi dhe thonë se trashëgimia e tij do të jetojë gjatë ndër vite. Ebrahim Raisi ndiqte një linjë të ashpër sa i përket ndjekjes së rregullave islame.
Por një pjesë e madhe e qyterarëve janë kundër. Shumë prej tyre thonë se shqetësohen përditë për ekonominë e tyre dhe se “nuk kanë kohë të shqetësohen për lajmin e vdekjes së tij”.
/tvklan.al