Një jetë e tërë në shërbim të më të varfërve, të atyre që kanë nevojë për shpresë. E shenjtë ende pa u shenjtëruar, lajmëtarja e dashurisë së Zotit, shqiptarja ndër deje, Nënë Tereza përkujtohet sot në mbarë botën shqiptare në përvjetorin e gjashtë të Lumturimit të saj. “Imazhi i saj” nga Bah, recitime nga shprehjet e Nënë Terezës, aria e “Kasta divës” nga opera Norma e Belinit, apo hyjnorja Ave Maria e Shubertit, dhe pjesë të zgjedhura nga Preng Jakova ishin disa nga pjesët muzikore të interpretuara nga artistët të teatrit të Operas në aktivitetin e organizuar për këtë dite të shënuar.”

Por Nënë Tereza, nuk kujtohet sot vetme ne boten shqiptare. Janë te panumërta ata që janë blatuar shpirtërisht nga një përqafim i saj, nga një buzëqeshje e dlirë e Nënë Terezës, e quajtur Nënë Tereza e Kalkutës.

Me sarin e bardhë në trup ajo hyri dorazi në botën e të varfërve dhe Kongregatën e saj të Misionarëve të Dashurisë e shpërndau në të katërt anët e botës. Ishte pikërisht për këto vlera të amshueshme që Nënë Tereza u nderua me Nobelin për Paqe në 1979-ën, asohere kur tërë bota njohu me gojën e saj, kombësinë shqiptare. Ndërsa paradoksi qëndronte tek qeveria e Enver Hoxhës, që as leje nuk i jepte të hynte në tokën amë për të takuar familjen e saj, nënën dhe motrën.

Me ardhjen e Demokracisë ndodhi edhe takimi i shumëpritur kur Nënë Tereza puthi Tokën shqiptare. 12 vjet pas vdekjes së saj, dhe gjashtë vjet pas lumturimit nga Papa Gjon Pali i dytë, Nene Tereza pritet të shenjtërohet, në 100 vjetorin e lindjes, si gruaja zemërgjerë që e ktheu në himn të jetës shprehjen e saj, “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit“…/tvklan.al