Çdo person që futet në Shqipëri nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza në Rinas, pyetet nga inspektorët sanitarë, nëse kanë qenë në vendet e prekura nga gripi i derrit dhe nëse ka shenja te influencës.
Ky plan masash sigurie është marrë menjëherë pas urdhrit të Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, për vënien në çdo pikë hyrëse të Shqipërisë inspektorë sanitar që monitorojnë situatën, pas alarmit global për përhapjen e virusit te rrezikshëm te këtij gripi.
Lorenc Hashorva: “Kontakti i parë është me policinë e shtetit, të cilët iu bëjnë disa pyetje tip pasagjerëve: Nga keni ardhur? Iu bënte disa pyetje tipike, pastaj nga personeli jonë për shenja klinike që mund të kenë pasur, në qoftë se kanë shenjat e këtij gripi, kollë, rrufë, temperaturë. Për momentin edhe ne kemi dhomën tonë të shërbimit sanitar. Kemi një tip dhome ku bëhet intervistimi i udhëtarëve dhe jemi duke u përpjekur për të hapur një dhomë izolimi”.
Edhe në portin e Durrësit, më i madhi në vend, ka nisur zbatimi i këtij urdhri. Kjo është karantina e ngritur në ambientet e portit, ku vetëm gjatë paradites kanë hyrë rreth 480 udhëtarë.
Liljana Olldashi: “Monitorimi është i përditshëm, i vazhdueshëm në çdo kohë, në momentin e ardhjes së trageteve. Pasagjerët nuk mund të dalin pa marrë konfirmimin nga mjeku i tragetit dhe mjeku i sektorit anti-epidemik të autoritetit portual të Durrësit. Në rast se dyshojmë neve kemi karantinën për të mbajtur këta persona që mendohet që mund të kenë pasur kontakt me të sëmurë dhe pastaj do vazhdojmë ecurinë e mëtejshme për të konfirmuar ekziston kjo mundësi e kësaj diagnoze apo jo”.
Nga kontrollet e kryera deri më tani rezulton se asnjë pasagjer nuk ka qene i prekur nga virusi.
Gjithashtu edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, si Porti i Vlorës, Kakavijë, Kapshticë apo dogana e Hanit të Hotit është forcuar kontrolli, jo vetëm i personave që hyjnë në Shqipëri, por edhe i ngarkesave të mishit që kanë si vend origjine shtetet e prekura nga virusi H1N1./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami