Kryeministri Sali Berisha është nderuar me çmimin e lartë ndërkombëtar “Eisenhower Medallion” të organizatës People to People International për kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e paqes në botë.
Ky çmim prestigjioz është krijuar në nder të ish-presidentit të 34 të SHBA-ve, Dwight D.Eisenhower, dhe njëkohësisht themelues i People to People International.
Presidentja e kësaj organizate dhe stërmbesa e ish-presidentit Mary Eisenhower në letrën e saj drejtuar kryeministrit të Shqipërisë thekson: “Unë personalisht kam qenë dëshmitare e kontributit që ju keni dhënë për krjimin e një klime paqësore mes Shqipërisë, vendeve të rajonit dhe komunitetit global, ndaj ju konsideroj si personalitetin e vetëm për të fituar këtë çmim”.
Disa prej figurave më të njohura të botës që kanë marrë këtë çmim ndër vite janë: Nënë Tereza, Organizata Save the Children, Shkëlqesia e Tij, Papa Gjon Pali i Dytë, ish-presidentet e SHBA-ve, Xhorxh Bush , Jimmy Carter, Ronald Reagan.
Në pamundësi për të marrë pjesë vetë kryeministri për shkak të angazhimeve që burojnë nga rizgjedhja e tij në këtë detyrë në zgjedhjet e datës 28 Qershor, çmimi do t’i dorëzohet në emër të tij, Zonjës Liri Berisha, e cila do të shoqërohet nga Zv/Ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi në Las Vegas, në takimin e përvitshëm të People to People International, ku pritet të marrin pjesë liderë dhe personalitete nga vende të ndryshme të botës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle