“Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës.”

Kështu e përshkruante veten Nënë Tereza kur ishte gjallë, por pas vdekjes, fjalët e saj mund të bëjnë shumë pak për të zgjidhur fërkimet diplomatike mes Shqipërisë dhe Indisë përsa i përket eshtrave të saj.

Kështu argumenton rrjeti prestigjioz amerikan CNN në artikullin kushtuar çështjes së kthimit të eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri para 100 vjetori të lindjes së saj.

CNN citon kryeministrin Sali Berisha, i cili argumenton se Nënë Tereza duhet të prehet pranë nënës dhe motrës së saj të varrosura në Tiranë. 

Asaj i mungonin shumë kur ishte gjallë shpjegon Berisha, ndaj kërkesa ime është tepër njerëzore.

Kryeministri sjell në kujtesë për CNN, se si Nënë Tereza i ka thënë se lutej çdo ditë për familjen dhe kombin e saj.

Ja pse vazhdon më tej kreu i ekzekutivit shqiptar, të dy qeveritë duhet të bisedojnë shtruar për këtë çështje e të gjejnë një zgjidhje, por India, vendi ku misionarja punoi gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj e ka bërë të qartë se Nënë Tereza e varrosur në Kalkutë nuk do të largohet prej andej.

CNN citon Vishnu Prakash, zëdhënës i ministrisë së jashtme që thotë se Nënë Tereza është një qytetare e Indisë. Njerëz nga e gjithë bota e  konsiderojnë sipas tij pjesë të Indisë, ndaj eshtrat e saj duhet të qëndrojnë këtu.

Nënë Tereza ose Agnes Gonxhe Bojaxhiu fituese e çmimit “Nobel” për paqen, vdiq në vitin 1997 në moshën 87-vjeçare.

Pas lumturimit të saj në vitin 2003, pritet që Kisha Katolike ta shenjtërorë Nënë Terezën vitin e ardhshëm.

Nënë Tereza është një shenjtore në parajsë, por vendi i prehjes në tokë mbetet një debat problematik./tvklan.al