Vitet e fundit kanë qenë sfidues për Ingridin pasi jeta i është shenjuar nga humbja e prindërve dhe gërmimi drejt së vërtetës për të mësuar mbi prejardhjen dhe identitetin e saj. Në historinë që ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tregoi momentin kur mësoi se ishte e birësuar dhe kërkimin e gjatë për prindërit biologjikë.
Nëna, Pranvera i ka ndërruar jetë në moshë të re e prej saj ka mbetur vetëm një foto krah Ingridit të vogël. Babai mbetet ende një pjesë e paplotësuar e formueses së saj. Megjithatë, Ingridi nuk ka qenë asnjë çast e braktisur sepse mes njerëzve që i janë gjendur pranë, është mbajtur fort pas dorës së Valbonës.
Veç lidhjes familjare, mes tyre ka një miqësi të fortë, mbështetje dhe shumë dashuri ndaj Ingrid dëshiron t’i shprehë gjithë mirënjohjen e saj.
Ingrid: Nuk mjaftojnë fjalët, nuk mjaftojnë surprizat për atë që ti je. Çupë e denjë e familjes tënde, nuse e denjë e familjes sime, motra ime, shpatulla ime në gjithë situatën e jetës sime dhe sidomos vazhdon je telefonata e parë dhe e fundit që mund të bëj në ndonjë situatë. Nuk kisha mënyrë tjetër të të falenderoja ty në këtë prag 60-vjetori dhe doja të të bëja një surprizë jete që të mbetej. Të kam shqetësuar emocionalisht, por ti je gocë kapedane.
Valbona: Giti, ti je dashuri!
Ingrid: Përtej kësaj surpriza ime shkon një çikë më tej. Ti ke një ëndërr në sirtar dhe unë ta di shumë mirë, “një ëndërr ja po trokasin provimet, zemrat tona plot emocion”.
Valbona: Uau!
Ingrid: Duhet që të tërë ta dëgjojnë zërin tënd të bukur, shpirtin tënd të bukur dhe të mbetej historia jonë përjetë ashtu si janë lidhur fatet tona përjetë. Nuk do të të shoqëroj unë jo se nuk ma mban emocionalisht, kam sjellë një mikun tim, koleg të Operas që do të gjeni diçka, një strofë ta këndoni përjetë, e mbetur përjetë kujtim i bukur jo për mua se unë e di sa zë të bukur ke, por për nipërit dhe mbesat që uroj të trashëgohen dhe të gëzohesh mbase edhe me stërnipërit e stërmbesat. Të dua shumë, s’kam fjalë ta them.
Valbona: Kjo është një dhuratë jashtëzakonisht e bukur. Jo të gjithë kanë fatin të përjetojnë emocione të tilla. Unë e pata sot.
Siç Ingrid tregoi më herët, ëndrra e Valbonës ishte muzika por gjatë regjimit të diktaturës s’mundi ta ndiqte prej biografisë. Sot, ajo e realizon duke sjellë pak magji me “Thërrime dashurie”./tvklan.al