Pasditen e kësaj të Enjteje, Kuvendi i Shqipërisë ka hedhur poshtë kërkesën për dërgimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.


Të pranishmit në sallë, votuan përkatësisht me 39 kartonë jeshilë e 72 të kuq. Ishte opozita e cila kërkoi që mandati i Xhaçkës të rishqyrtohej nga GjK me pretendimin se bashkëshorti i saj Artan Gaçi është favorizuar si “investitor strategjik për ndërtimin e një resorti në Dhërmi në fillim të vitit 2022.”

Ministrja mohoi edhe sot nga foltorja të gjitha akuzat e PD duke theksuar se bëhet fjalë për një status të investitorit të asistuar që ndryshon shumë nga investitorët strategjikë të veçantë. Ajo u shpreh se “as ajo, e as bashkëshorti i saj nuk kanë përfituar asgjë nga fondet publike”.

Sipas ish-ministres së Jashtme, kompania e bashkëshortit të saj ka përfituar në mënyrë ligjore një nga 1500 kontratat e përvitshme të qirasë për sipërfaqen e plazhit përpara hotelit.

Kujtojmë se më 23 Janar të vitit të shkuar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e PD-së për Xhaçkën me argumentin se për legjitimitetin e mandatit të saj duhet të shprehej fillimisht Kuvendi. Në vendimin e saj, Kushtetuesja bëri të ditur se pushoi çështjen e shqyrtimit dhe gjykimit të kërkesës së 1/5 së deputetëve të Partisë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

“Për kërkimin që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, thuhej në vendimin e para një viti.

/tvklan.al