Shumica votoi kundër dërgimit të mocionit të papajtueshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Qëndrimin kundërshtues të socialistëve e lexoi të argumentuar Kryetarja e Komisionit të Ligjeve nën zhurmën e grushtimit të tavolinave nga deputetët e opozitës që i akuzojnë ata se po i bën mburojë koleges së tyre. Përpara votimit, Gazmend Bardhi disa herë përsëriti se duke mos zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë detyruese, socialistët po bëjnë puç kushtetues.

Vetë e akuzuara e opozitës, deputetja Olta Xhaçka i cilësoi shpifje akuzat e ngritura nga opozita.

Olta Xhaçka: Shpifje! Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike! Zero! Asnjë centimetër katror truall shtetëror! Zero! Asnjë lehtësi proceduriale të ndryshme nga të tërë të tjerët. Zero! Dhe e dini çfarë është përfitimi nga statusi i investitorit strategjik të asistuar nëse duhet apo s’duhet të vërë shezlognët në plazh kur investimi të ketë përfunduar, kushedi se kur…

Prerazi mohoi që kompania e bashkëshortit të saj të jetë favorizuar për dhënien e statusit të investitorit strategjik për ndërtimin e një objekti turistik në Himarë.

Olta Xhaçka: As nga unë, as nga bashkëshorti im, as nga shteti që i ka dhënë një status aspak ekskluziv, po tërësisht ligjor një si dhjetra e dhjetra sipërmarrjeve të tjera, sipërmarrjes ku im shoq është pjesë, me një investim 100% privat dhe të mbështetur në një dokumentacion 100% transparent dhe të verifikueshëm pa asnjë vështirësi, nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri apo favorizim i veçantë.

Demokratëve, me të cilët replikoi gjatë seancës plenare u kujtoi se Kushtetuesja e ka pushuar çështjen ndaj saj që në Janar të vitit të kaluar, ndaj dhe Kuvendi nuk ka për çfarë të votojë.

Olta Xhaçka: Sot Kuvendi s’ka ça voton fare se çështjen time GJK e ka pasur, e ka shqyrtuar dhe e ka pushuar me vendim.

Gazment Bardhi: Mandatin dhe papajtueshmërinë e mandatit e shqyrton vetëm GJK. Pse fshihesh pas pantallonave të Ramës?

Olta Xhaçka: Ke ardhur këtu me ngjyrat e partisë, me interesat e vogla të ditës për të bërë inkuizitorin e madh, por nuk të shkon.

Gazment Bardhi: Rezulton se në pronën që i ka dhënë Edi Rama i ka dhënë bashkëshortit të zonjës që i bëri avokatin këtu, janë 11 mijë metra katrorë që janë grabitur me dokumente të falsifikuara. Pasi i kanë falsifikuar letrat, për 5 ditë kanë kaluar pronat publike në pronësi të bashkëshortit.

Olta Xhaçka: Kryeministri nuk shpërndan prona. Cilido që njeh sadopak ligjin e pronave e dinë që AMTP, vendimet e kthim kompensimet të pronave, vendimet e gjykatave vendosen mbi një hartë që nuk është e regjistruar si shtetërore zoti Bardhi.

Sipas ish-ministres së Jashtme, kompania e bashkëshortit të saj ka përfituar në mënyrë ligjore një nga 1500 kontratat e përvitshme të qirasë për sipërfaqen e plazhit përpara hotelit.

Tv Klan