Drejtuesit e lartë të Shtetit dhe selitë diplomatike kanë kujtuar 8 Dhjetorin, ditën kur studentët ndryshuan rrjedhën e historisë së një vendi që prej vitesh ishte nën diktaturë. Presidenti Bajram Begaj, në postimin e tij shprehu nderimin për studentët e 34 viteve më parë.

“Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore. Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, u përqendrua në urimin e saj tek e ardhmja europiane, për të cilën padyshim meritë kanë studentët e viteve 90 që rrëzuan komunizmin, që sipas saj, ka ende shëmbëlltyrat e tij në të tashmen tonë.

“Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!”

Ndërsa Kryeministri Edi Rama zgjodhi një urim ndryshe për 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Ai ka shpërndarë videon e një të riu që bashkë me familjen kanë një biznes të suksesshëm familjar të vajit të ullirit, që për Ramën është modeli i të rinjve që frymëzojnë.

“Respekte në këtë Ditë të Rinisë me mishërimin e qartë të forcës së shembullit të qindra e mijëra të rinjve të sotëm, që nën traditën e prindërve, por me energjinë dhe me vizionin për të ardhmen, punojnë, ndërtojnë e frymëzojnë për një Shqipëri të transformuar në anekënd”.

Nga ana e saj, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mesazhin e postuar në rrjetet sociale shprehet se “rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”.

Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë, me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Klan News