Siç ishte paralajmëruar, Forumi Rinor i Partisë Demokratike mbajti një marshim në formë proteste këtë të diel me rastin e “Ditës së Rinisë”.

Grumbullimi nisi në “Qytetin Studenti”. Atje mbajti një fjalim edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u shpreh se sot vendi ka një diktaturë të re.

Teksa u shpreh se demokratët ecin të sigurtë në fitore në zgjedhjet e 11 Majit 2025, u shpreh se asgjë nuk i ndalon ata të çlirojnë vendin nga narkodiktatura.

Pas fjalës së tij, të rinjtë marshuan drejt Kryeministrisë. Parulla kryesore e tyre ishte “Lindëm në demokraci, jetojmë në diktaturë”.

Rruga e tyre u shoqërua me thirrje të ndryshme si ato të studentëve të Dhjetorit ’90. “Liri demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishin disa nga brohorimat e tyre.

Me mbërritjen para kryeministrisë ato u shndërruan me kërkesën kryesore të Partisë Demokratike gjatë mosbindjes civile të nisur kohët e fundit. Të rinjtë kërkuan qeveri teknike.

Marshimi i tyre u shoqërua edhe me disa manekinë ku ishin vendosur fotot e kryeministrit Edi Rama, por edhe disa prej ministrave dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Erion Xhangoli raportoi se nuk pati asnjë incident dhe se policia kishte marrë masa për mbarëvajtjen e marshimit.

Shqipëria kujton sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend. /tvklan.al