Demokratët e kanë kujtuar 8 Dhjetorin si çdo vit me një ceremoni të organziuar nga forumi rinor në “Qytet Studenti”.
Sali Berisha që ju bashkua të rinjve, ndau me ta kujtimet e 8 Dhjetorit 1990-ës, por më shumë u përqendrua tek kundërshtarët aktualë që i cilëson si diktatorë dhe më të egër se pushtetarët e regjimit komunist.
“Shqipëria, vendi me të cilat të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu. Shqipëria, vendi në të cilin, shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët. Shqipëria, vendin në të cilin procesi elektoral është shndërruar në fasadë elektorale.”
Berisha bën thirrje për mobilizim të të rinjve për të rrëzuar me votë në 11 Maj socialistët.
“Maskat kanë rënë, nga ne kërkohet sulm!”
Me sloganin “Lindëm në demokraci, jetojmë në diktaturë” të rinjtë marshuan nga “Qyteti Studenti” drejt Kryeministrisë. Si simbolikë kundër qeverisjes socialiste ata dogjën manekinët e kryeministrit Rama, kryebashkiakut Veliaj dhe ministres së Arsimit Manastirliu.
Në nderim të kësaj dite, pasdite në selinë e PD-së, u organizua një takim nga Forumi Rinor i Demokratëve dhe grupimit Dhjetori ’90. Berisha gjatë fjalës së tij tha se lëvizja e studentëve e udhëhequr nga Azem Hajdari ishte një revolucion kombëtar e demokratik më i suksesshmi në Evropë, duke përmbysur sistemin monist.
Tv Klan